Pelegrinë nga e gjithë bota në qytetin që lindi Krishti, Betlehem

24/12/2016 00:00

Pelegrinë të krishterë nga e gjithë bota kanë mbushur sheshin përpara kishës së lindjes së Krishtit në Betlehem punonjësit e së cilës, ashtu si dhe forcat e sigurisë ishin të zënë me përgatitjet e fundit përpara kremtimeve të mbrëmjes së sotme.

Që në orët e para të ditës, vendas e të huaj janë vënë në radhë përpara vendit të shenjtë ku besohet se erdhi në jetë Jezusi.

“Është e mrekullueshme. erdha të shoh vendin ku lindi shpëtimtari ynë Jezu Krisht. Unë jam i krishterë, ndaj për mua ky është një vend dhe një moment tepër special. E adhuroj faktin që e kam mundësinë të vij këtu, ndihem me fat dhe vërtet e bekuar”, thotë një turiste.

Këto Krishtlindje, Bbetlehemi sërish do të gjendet përballë vërshimit të njerëzve dhe mungesës së hapësirave nëpër hotele. Turizmi përbën një burim kryesor të ardhurash për ekonominë palestineze dhe falë tij, sigurojnë jetesën rreth 5.000 familje në Betlehem të cilat kanë rreth 5.000 dhoma në gati 46 hotele e bujtina.

Nga sa pohon ministrja e Turizmit Rula Ma’ayah, territoret palestineze i kanë vizituar këtë vit 2,3 milionë vetë, një numër pak më i lartë ky se vitin e kaluar.

“Situata ka qënë mjaft e mirë, megjithatë shpresojmë që vitin tjetër, kur të festojmë Krishtlindjet, pushtimi të ketë përfunduar. Betlehemi është qyteti i paqes, e prapë ne kemi dhjetëra vjet që vazhdojmë ta kërkojmë”, tha Rula Ma’ayah, ministre palestineze e Turizmit.

Dhuna izraelito-palestineze i ka frenuar turistët në të shkuarën, e sidomos gjatë intifadës së viteve 2000-2005, Betlehemi u kthye në një vend tejet të vetmuar.
 
 

Top Channel