Drejtësia, Xhafaj: Në mars konstituohen organet e reja

22/12/2016 00:00

Konstituimi i organeve të reja që ngrihen në kuadër të reformës në drejtësi, e veçanërisht ato që parashikohen nga ligji i Vettingut, që do të bëjnë edhe rivlerësimin e gjyqtarëve, pritet të përmbyllet brenda muajit mars të vitit të ardhshëm.

Duke folur në një lidhje të drejtpërdrejtë nga oborri i Kuvendit, Fatmir Xhafaj bëri shkurtimisht një përllogaritje të afateve kohore të parashikuara nga ligji. Ai tha se nëse nuk ka të papritura dhe pengesa të tjera, konstituimi i institucioneve të reformës përmbyllet në fund të muajit mars.

“E para do të duhet që Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin dhe nga momenti i zbardhjes së këtij vendimi nisin të gjitha hapat e nevojshme proceduriale dhe dy janë veprimet kryesore që do të bëhen me botimin në Fletoren Zyrtare, e para për paraqitjen e tre formularëve nga gjykatësit dhe prokurorët për një afat njëmujor, pra deri në fund të janarit të gjithë subjektet e Vettingut duhet të kenë dorëzuar këta formularë dhe e dyta do të nisë afati i detyrimit që ka Presidenti për shpalljen publike për Komisionerët e Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe për Komisionerin Publik. Nëse Presidenti nuk vepron brenda 45 ditëve, atëherë futet në lojë Avokati i Popullit. Brenda 15 ditësh duhet të vijnë kandidaturat nga dita kur Presidenti bën shpalljen publike. E gjithë kjo, përfshi kalimin në Kuvend, i gjithë procesi i konstituimit mund të shkojë në këto kushte deri brenda marsit”, deklaroi Xhafaj.

Por cilët subjekte do t’i nënshtrohen të parët Vettingut?

“Të parët që do t’i nënshtrohen rivlerësimit janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm”, deklaroi Xhafaj.

Disa javë më parë, nga studio e Top Story-t, Xhafaj kritikoi vendimine  Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Vettingut. Ai tha këtë të enjte se i qëndronte asaj kritike.

“Kam thënë që nuk jam dakort me këtë vendim dhe kam thënë që edhe ata nuk do ta arsyetojnë dot vendimin e pezullimit dhe koha më dha të drejtë. Ende sot nuk ka një arsyetim të vendimit të pezullimit nga ana e  Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Deputeti socialist që mbante postin e kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, komentoi edhe vendimin për ta shkrirë këtë Komision.

“Viti që vjen është vit zgjedhor dhe ne nuk dëshironim që të përfshinim këtë proces, këtë Komision me procesin elektoral. Tani çështjet kalojnë tek Komisioni i Ligjeve ku hyjnë në një proces më të natyrshëm dhe merr më pak ngarkesa politike”, tha ai.

Në fund, Xhafaj u shpreh optimist duke thënë se nuk priste pengesa të tjera për reformën në drejtësi.

Top Channel