Real Madrid “zbulon kartat”, plan për Courtois

22/12/2016 00:00

Reali i Madridit ka nisur të bëjë planet për merkaton e muajve të verës ku do të jetë i lirë të ndërhyjë, pas vendimit të CAS. Në krye të listës së madrilenëve është portieri i Chelsea, Thibaut Courtois dhe sipas medias spanjolle Los Blancos do të luajnë kartat e tyre për të arritur te 24 vjeçari.

Në radhë të parë, Reali i Madridit do të kërkojë që të shfrytëzojë situatën e krijuar te Chelsea, me Courtois që ende nuk ka pranuar të rinovojë kontratën e cila skadon në verën e vitit 2019. Belgu gjithnjë e ka pëlqyer Ligën Spanjolle dhe asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për t’u kthyer në këtë kampionat, gjë që të cilën madrilenët e konsiderojnë si një pikë në favortin e tyre.

Së dyti, Keylor Navas, që sezonin e kaluar ishte pika më e fortë e Realit të Madridit, nuk e ka më atë rendiment. Cilësitë sigurisht që nuk i mungojnë dhe pikërisht për këtë arsye drejtuesit e Realit do të kërkojnë që ta nxjerrin në merkato për të siguruar të ardhura.

Një tjetër kartë që do të kërkojë Reali ta luajë për të marrë Courtois, është eksperienca që ai ka në Spanjë. Në 2011, belgu u bë pjesë e Atletico Madrid ku u transferua nga Chelsea në formë huazimi. Me “Los Colchoneros” ai fitoi 2  herë trofeun Zamorra, një kampionat, një Kupë Mbreti, një Europa League dhe një Superkupë të Evropës. Në sezonin e tij të fundit me Atleticon, ai arriti të mbajë të paprekur portën e tij në 28 raste nga 55 ndeshje të zhvilluara. Faktori tjetër që ndikon në favor të Realit të Madridit është përshtatja e tij në kryeqytetin spanjoll ku ai ka blerë edhe një banesë. Për më tepër, në Madrid jeton edhe vajza e tij Adriana dhe për këtë arsye ai udhëton shpesh drejt Spanjës.

Tani ajo që duhet të bëjë Reali i Madridit është që të bindë drejtuesit e Chelseat të hapin bisedimet për Courtois, diçka që është shumë e vështirë për t’u arritur duke qenë se klubi londinez nuk ka dëshirë të privohet nga futbollisti.

Top Channel