F1, Hamilton rihap problemet, nuk kursen Mercedes

18/12/2016 00:00

Titulli i pilotëve dhe i konstruktorëve mbeti te Mercedes, por skuadra dominuese në Formula 1 në vitet e fundit nuk i ka larguar ende problemet.

Lamtumira surprizë e kampionit të botës Niko Rosberg e ka mbajtur të ftohtë marrëdhënien e skuadrës gjermane me pilotin tjetër Luis Hamilton, me këtë të fundit që akuzoi drejtuesit për mungesë respekti sërish.

Britaniku që rivalizoi për titullin deri në kthesën e fundit të sezonit, tha se në garën finale nuk u trajtua si duhet. Hamilton u akuzua për anarki në Abu Dabi pasi  injoroi urdhrat nga bokset për të ecur më shpejt, në një manovër të diskutueshme që krijoi trafik në pistë.

“Abu Dabi ishte një prej momenteve më të sikletshme të sezonit në Formula 1, dhe duke parë se çfarë u tha pas garës që vendosi titullin, u ndjeva i parespektuar nga individë brenda ekipit. Asnjëherë nuk e pret diçka të tillë nga ata që drejtojnë kaq shumë njerëz dhe situata ende nuk është zgjidhur” tha Luis Hamilton.

Ndërkohë një tjetër britanik legjendë e Formula 1, Sër Jackie Stewart që ka fituar 3 tituj i kujtoi Hamilton se duhet t’i bindet Mercedes, pasi e paguan 30 milionë paund në vit, për të bërë pikërisht punën e pilotit.

Top Channel