“Brexit”, Theresa May kërkon marrëveshje për britanikët e BE-së

16/12/2016 00:00

Kryeministrja britanike Theresa May u ka thënë udhëheqësve të BE-së se, ajo kërkon një marrëveshje të hershme në negociatat mbi “Brexit” sa i përket statusit të britanikëve në Europë dhe shtetasve të BE-së në Britani.

Kryetarja e ekzekutivit britanik mori pjesë në samitin e udhëheqësve të BE-së në Bruksel, përpara se të largohej prej andej, teksa krerët diskutuan qasjen e tyre ndaj “Brexit”-it. 27 drejtuesit e mbetur ranë dakord se Komisioni Europian do të marrë rolin e kryesuesit në negociata.

Ndërkohë, Kancelari Philip Hammond ka hedhur poshtë sugjerimet se mund të duhen deri në 10 vite për të arritur një marrëveshje tregtare. Duke folur për BBC-në, ai tha se “nuk pret që negociatat të marrin kaq shumë kohë”, pas raportimeve se ambasadori i Britanisë në BE, Sir Ivan Rogers sugjeroi këtë periudhë.

Kryeministrja britanike ishte në Bruksel të enjten në takimin e Këshillit Europian. Ajo u largua nga samiti pa iu përgjigjur pyetjeve mbi “Brexit”, ndërsa kryeministrja irlandeze, Enda Kenny tha për reporterët se kishte marrë një përditësim mbi çështjen e Gjykatës Supreme, ku është përfshirë edhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, nëse mundet të veprojë e vetme në aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës për fillimin zyrtar të “Brexit”-it.

“Kryeministrja britanike do të donte të kishte të zgjidhur çështjen e shtetasve britanikë që jetojnë në Europë dhe atyre europianë që jetojnë në Britani, gjatë pjesës së parë të bisedimeve”, tha kryeministrja irlandeze.

Një zëdhënës i “Downing Street” konfirmoi këtë të premte se May e ka ngritur këtë çështje dhe ka qenë e qartë teksa kërkoi zgjidhjen e saj sa më shpejt të ishte e mundur. “Kemi qenë të qartë kur kemi shprehur dëshirën tonë për t’ua zgjeruar të drejtat qytetarëve të BE-së që jetojnë këtu te ne, për sa kohë që ka një marrëveshje reciproke për qytetarët britanikë anembanë BE-së”, tha zëdhënësi.

Çështja se çfarë do të ndodhë me rreth 2.9 milionë qytetarët e vendeve të BE-së, të cilët kanë vendosur të jetojnë në Britani gjatë viteve të fundit, është një nga më të diskutueshmet që janë ngritur nga vota e Britanisë në favor të largimit nga BE-ja në referendumin e qershorit.

Top Channel