Kosovë, hyn në fuqi kodi telefonik ndërkombëtar +383

15/12/2016 09:35

Kosova do të ketë nga kjo e enjte kodin telefonik +383, duke lënë në histori operatorët sllovenë dhe kodin nga Monako, të cilën Kosova ka shfrytëzuar prej vitesh. Telefonia fikse ka pasur kodin +381, ashtu si Serbia. Megjithatë, postat e të dyja vendeve nuk njohin adresat e njëra-tjetrës.

Pas marrëveshjeve të Brukselit, një luftë e ashpër është bërë për arritjen e këtij qëllimi. “Telekom Serbia” do të ketë licencë për Kosovën dy vitet e ardhshme.

Edita Tahiri, ministre për Dialogun në Kosovë, ka thënë se kodi është arritje historike dhe forcon shtetin e Kosovës. Kështu vlerësuan edhe zyrtarë të tjerë në Kosovë. Por në Serbi, lajmi është se i është ndarë kodi territorit gjeografik.

Marko Gjuriç, i Zyrës për Kosovën, përkundër ndalesave, ka hapur një pikë karburanti të “NIS Petrol” të Serbisë në Kosovë. Ai tha se ndihet i detyruar të shëtitet vjedhurazi, si kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

“Telekomit të Serbisë i është ndarë licenca për punë në tërë territorin e Kosovës e Metohisë. Ne shpresojmë që kjo kompani do të ketë plane për zhvillim dhe pres të marrë një treg të rëndësishëm në krahinën jugore të Serbisë”, tha Marko Gjuriç.

Dushan Janjiç, i Institutit për Marrëdhënie Ndëretnike, thotë se nuk kanë rëndësi deklarimet, por fakti që numri është i Kosovës.

“Dialogu i lejon interpretimet e ndryshme të Gjuriçit dhe Tahirit, por kodi është i Kosovës. Ky kod ka qenë i rezervuar për Kosovën që në vitin 1986, në kohën e Jugosllavisë, dhe do të ndryshojë shumë gjëra. Pavarësisht interpretimeve”, tha Dushan Janjiç.

Kosova dhe Serbia mund të telefononin më parë, por pa shërbime shtesë, përfshirë edhe SMS-të.

Top Channel