NBA, Golden State e Oklahoma rikthehen te fitorja

12/12/2016 00:00

Golden State Warriors dhe Oklahoma City Thunder rigjejnë ritmin, lojën dhe fitoren në kampionatin e NBA.

Skuadra e Warriors fitoi në “Target Center” ndaj Minnesota Timberwolves me rezultatin 116-108. Ai që mori përsipër të drejtojë këtë skuadër drejt suksesit ishte pikërisht Klay Thompson, autor i 30 pikëve personale, ndërkohë që Steph Curry dhe Kevin Durant e mbyllën sfidën me nga 22 pikë secili. Golden State vazhdon të jetë në krye të renditjes së Konferencës së Perëndimit me 21 fitore dhe 4 humbje, ndërsa Minnesota është e parafundit me 6 fitore dhe 18 humbje.
 
Oklahoma City Thunder fitoi në parketin e saj ndaj Boston Celtics 99-96. Ishte i zakonshmi Russell Westbrook ai që bëri diferencën në parket me 37 pikë, 23 nga të cilat i shënoi vetëm në pjesën e dytë. Për Boston nuk mjaftuan 19 pikët e Al Horford për të evituar disfatën e 11 sezonale.

New York Knikcs pushtoi “Staples Center” teksa mposhti Los Angeles Lakers me rezultatin 118-112. Derrick Rose ishtë në një ditë shumë të mirë për Knicks, teksa e drejtoi këtë skuadër drejt suksesit të dytë radhazi me 25 pikë personale, ndërkohë që në krahun tjetër Luol Deng ishte shënuesi më i mirë me 22 pikë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, New Orleans Pelicans mposhti Phoenix Suns 120-119, ndërsa Philadelphia 76ers fitoi ndaj Detroit Pistons 97-79, duke regjistruar suksesin e 6 sezonal të saj.

Top Channel