Chapecoense emëron trajnerin e ri pas aksidentit ajror

09/12/2016 00:00

Klubi brazilian i futbollit, Chapecoense ka emëruar trajnerin e ri, pas aksidentit ajror të javës së kaluar që la të vdekur 71 persona, përfshi këtu shumicën e futbollistëve, stafin teknik dhe bordin drejtues.

Vagner Mancini është emri i ri që do të ulet në stolin e Chapecoenses, me detyrën e vështirë për të rindërtuar një ekip thuajse nga zeroja. Mancini ka një eksperiencë të gjatë me ekipe të konsideruara të mesit të tabelës së renditjes, siç ishte edhe ekipi nga Chapeco. Në vitin 2005, ai udhëhoqi skuadrën Paulista drejt trofeut të Kupës së Brazilit.

Në të kaluarën, Mancini ka drejtuar edhe ekipe të mëdha, si Gremio, Santos, Vasco da Gama, Cruzeiro dhe Botafogo.

Chapecoense nis kështu fazën e ringritjes si klub, pasi do të luajë në turneun e Kupës Libertadores, ekuivalenti i Champions League në Europë, për herë të parë në historinë 43-vjeçare të klubit. Aktualisht, ekipi ka vetëm 6 lojtarë profesionistë në dispozicion, por klube me emër në Brazil kanë ofruar lojtarë në formë huazimi për të përballuar këtë periudhë tranzitore të dhimbshme.

Chapecoense, ndërkohë, ka njoftuar planet për të mos luajtur ndeshjen e fundit ndaj Atletico Mineiros, në javën e fundit të kampionatit brazilian, që do të zhvillohet këtë fundjavë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel