Seedorf dhe Eriksson, “rokadë” VIP në pankinat kineze

05/12/2016 00:00

Pas vetëm 5 muajsh në pankinën e Shenzhen FC, Clarence Seedorf ka marrë një tjetër notë ngelëse në karrierën e tij si trajner. Holandezi që u largua nga Milan për shkak të rezultateve negative para dy vjetësh, nuk do ta vazhdojë kontratën me klubin e divizionit të dytë kinez pasi drejtuesit e kryqëzuan prej dështimit në objektiva.

Ish-mesfushori i kombëtares holandeze të futbollit që zbarkoi te Shenzhen në muajin korrik, erdhi me dëshirën për të ngjitur ekipin në Superligën kineze por e mbylli kampionatin në vendin e 9. Seedorf pritej të ishte një rival i denjë për Fabio Cannavaron në një duel të bukur në serinë B kineze, por nëse italiani fitoi titullin dhe promocionin, Seedorf meritoi shkarkimin.

Ashtu si në 2014 kur u zëvendësua nga Inzaghi, holandezi Seedorf i lë vendin një tjetër emri të njohur. Sven-Goran Eriksson që drejton në futbollin kinez prej 3 vjetësh, do të synojë të ngrejë ekipin e fuqishëm financiarisht por modest në objektiva.

Ish-trajneri i Romës, Lazio-s, Sampdorias dhe kombëtares angleze, riniset nga seria B kineze pasi sezonin e kaluar arriti deri në çerekfinalet e Champions Aziatike.

Top Channel