Tirana-Partizani, në derbi luhet për fitore

30/11/2016 00:00

Java e 13 e kampionatit kombëtar të futbollit është e përqendruar në derbin e madh të kryeqytetit, i cili do të luhet të enjten mes Tiranës dhe Partizanit, dy skuadrave që numërojnë plot 80 trofe në futbollin shqiptar.

Si rrallëherë në vitet e fundit dy klubet e kryeqytetit janë të përfshira në garën për titullin, por bardhelutë nuk e fitojnë derbin prej 10 ndeshjesh radhazi. Ky dhe presioni normal i një ndeshjeje të tillë duket i paevitueshëm edhe pse trajneri Josa mundohet të ruaj skuadrën  nga kjo gjë.

“I kam thënë çunave të rrinë me familjarët e tyre në këtë periudhë sepse edhe unë sa dal nga shtëpia të gjithë më pyesin sa del derbi. Tre ditët e fundit të javës nuk më zë gjumi, por i kam thënë skuadrës të futet për të fituar ndeshjen dhe ‘me men në kokë’ si themi ne tironsit”, tha Josa.

Ndërkohë kampi i kuq është thuajse i izoluar fare, askush nga stafi teknik nuk ka folur në prag të këtij derbi duke kërkuar dhe përqendrim maksimal të tyren por edhe të skuadrës.

Në një prononcim për Top Channel, presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, shpreh mendimin për skuadrën e tij dhe për derbin.

“Tirana është më e fortë, ndërkohë që Partizani ka ruajtur vazhdimësi. Duhet të luaj më shumë në sulm. Më vjen mirë që edhe Tirana është forcuar dhe ndoshta tashmë ka ardhur momenti që trofeu të rri në kryeqytet meqë të dyja skuadrat luftojnë për titullin. Ne kampionatin dhe Tirana kupën”, u shpreh Demi.

Ky do të jetë derbi i 147 mes Tiranës dhe Partizanit, por mes tyre njëri është shumë i ngjashëm, të paktën sa i përket pankinave. Mirel Josa nën drejtimin e Tiranës dhe Sulejman Starova nën drejtimin e Partizanit janë përballuar bashkë më 13 maj të vitit 2006 në një derbi plot gola e raste.

10 vite më parë ajo ndeshje u mbyll me një rezultat të barabartë 2-2 duke i ndarë nga një pikë skuadrave që të paktën nuk u futën në fushë për të mos e humbur, por të bindur për ta fituar, ashtu si duken edhe më pak se 24 orë nga përballja e radhës, në kohë të tjera por me të njëjtin sharm, atë të përballjes më të madhe dhe më të bukur të futbollit shqiptar, siç është derbi kryeqytetas Tirana-Partizani.

Top Channel