De Biasi: Izraeli? Humbje që djeg. Shohim përpara me besim

30/11/2016 00:00

Gianni de Biasi rikthehet të flasë për kombëtaren. Në një intervistë ekskluzive për edicionin italian të “Goal.com”, italiani tregon për punën e madhe që është bërë që nga momenti kur ka mbërritur në Shqipëri e deri në pikën kulmore, atë të kualifikimit në Europian si dhe rezultat e fundit në kualifikueset e Botërorit.

“Kur mbërrita në Shqipëri, gjeta një situatë të komplikuar si nga pikëpamja logjistike, ashtu edhe nga ajo e skuadrës. Shumë lojtarë ishin pranë fundit të karrierës dhe ishte në zhvillim një ndryshim brezash, çka në fillim nuk është asnjëherë e lehtë. Duhet të rindërtonim çdo gjë dhe duhej ta bënim shpejt pasi afronin kualifikueset e “Brazil 2014”. U munduam të bënim një organizim të përgjithshëm, për të optimizuar kohët dhe për t’u kujdesur për detajet, si për shembull: si të mbanim një dietë të përshtatshme apo si të fillonim të studionim kundërshtarët para një ndeshjeje. Kemi qenë gjithmonë të bindur se nëse i njeh ata që ke përballë, ke një avantazh, dhe për këtë arsye sot lojtarët tanë marrin video të detajuara mbi kundërshtarin para çdo ndeshjeje”, e nis De Biasi rrëfimin e tij për “Goal.com”.

Shqipëria nuk arriti të sigurojë një biletë për në Brazil, por shkoi në Francë. Kualifikimi në Europian është dhe pika kulmore e drejtimit të De Biasit në kombëtaren tonë. Por, De Biasi kujdeset që të mos meritat vetëm për vete, si dhe përmend suksesin e Skundërbeut në Europa League.

“Bëmë një punë të shkëlqyer dhe kur përdor numrin shumës, nënkuptoj, stafin teknik, lojtarët, por edhe Federatën. Besoj se rezultatet arrihen vetëm duke punuar të gjithë bashkë në një drejtim dhe kjo ndodhi në Shqipëri. Jo rastësisht, përtej Europianit, edhe një klub shqiptar u kualifikua në një kompeticion ndërkombëtar, si një konfirmim i rritjes së lëvizjes futbollistike. Natyrisht për diçka të tillë, jemi krenarë”, tha italiani.

De Biasi nuk e fsheh pengun për eliminimin në Europian, ku Shqipëria i tha lamtumirë kompeticionit në fazën e grupeve ku kishte të njëjtën kuotë pikësh me Portugalinë që më pas u shpall kampione.

“Na vjen keq si shkuan gjërat, pasi në fund u eliminuam në fazën në grupe me pikë të njëjta me skuadrën e cila më pas fitoi turneun. Na vjen keq edhe më shumë pasi humbëm dy ndeshje në mënyrë të pamerituar. Si ndaj Zvicrës, ashtu edhe ndaj Francës, nuk ishim inferiorë, përkundrazi, në disa pjesë loje kemi luajtur edhe më mirë se ata. Por futbolli është i tillë…”, thotë trajneri i kombëtares.

Fushata e kualifikueseve për Botërorin e Rusisë nuk po ecën ashtu siç e ka parashikuar De Biasi. Edhe pse nisi gjithçka mbarë me dy fitore (ndaj Maqedonisë e Lihteshtejnit), Shqipëria pësoi humbje ndaj Spanjës e Izraelit në shtëpi.

“Humbja ndaj Spanjës mund të pranohet, edhe pse ndeshja u vendos nga një gabim i yni, por djeg më shumë ajo kundër Izraelit, edhe për mënyrën se si erdhi. Pas pak minutash na u përjashtua një lojtar, ndërsa në pjesën e dytë kjo ndodhi edhe me portierin tonë, duke na dhënë kundër edhe një penallti për mendimin tim të ekzagjeruar. Kurrë më shumë se në këtë rast nuk mund të flitet për një ndeshje të vendosur nga episodet. Në çdo rast duhet të shohim përpara me besim, pasi përveç këtij aksidenti me Izraelin, ndeshjet që duhej të fitonim i kemi fituar”, shprehet  De Biasi.

Sfida e ardhshmë për kombëtaren do të jetë ajo ndaj Italisë, që De Biasi thotë se do të jetë e veçantë për të. Ai shpreh admirim për trajnerin e “axurëve”, Ventura, dhe projektin e tij ambicioz.

“Italia që po lind më pëlqen shumë, admiroj Venturën, një trajner i madh dhe e shoh si shumë intrigues projektin e tij. Ka shumë të rinj dhe me shumë perspektivë që po paraqiten mjaft mirë. Nuk them vetëm për Belottin, por edhe për Immobile, Insgine e shumë të tjerë. E pashë ndeshjen kundër Gjermanisë dhe më bënë shumë përshtypje, pavarësisht faktit se gjermanët ishin me formacion eksperimental, pasi edhe Italia ishte e tillë dhe u paraqit shumë mirë gjithsesi. Mendoj se si italianë duhet të vlerësojmë dhe të mbështetim këtë rrugë të re, në vend që, si zakonisht, të gjykohet gjithçka në bazë të rezultateve”, tha trajneri.

De Biasi i rikthehet edhe njëherë sfidës me Spanjën dhe thotë se e vetmja mënyrë për t’i përballuar është që skuadra të luajë ngjeshur, por refuzon të këshillojë italianët se si të luajnë ndaj iberikëve.

“Të luash kundër Spanjës nuk është asnjëherë e lehtë, pasi kanë atë mbajtjen e topit dhe është e vështirë t’ua marrësh e shkosh përpara. Të detyrojnë të luash i tërhequr dhe e vetmja mënyrë që ke për t’i përballuar është të qëndrosh kompakt dhe pastaj të mundohesh t’i godasësh kur zbulohen. Ventura nuk ka nevojë për këshillat e mia, e di në mënyrë perfekte se çfarë duhet bërë. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, pasi ata janë një skuadër e madhe: kanë lojtarë ekspertë në çdo rol, dy minigrupe të Real Madrid dhe Barcelonës të përbërë nga njerëz që kanë shumë eksperiencë ndërkombëtare. Dhe kur u mungon dikush, përfshijnë lojtarë të Atletico Madrid, të Manchester United apo Sevillas. Me pak fjalë, lojtarë që janë të mësuar të luajnë në nivele të larta. Kjo është forca e tyre, pavarësisht teknikës. Pastaj mendoj se ndryshimi i trajnerit u ka sjellë edhe entuziazëm të ri, shihet që lojtarët kanë rizbuluar motivimin. Por pasi e them këtë, Italia luan si e barabartë ndaj kujtdo, gjithmonë”, thotë De Biasi.

Top Channel