Klosi: Ligji kundër dhunës do të ndryshojë

25/11/2016 00:00

Ligji kunder dhunës do të ndryshojë. Ministria e Mirëqenies Sociale ka propozuar gjithëpërfshirje dhe ashpërsim të masave ndëshkuese për dhunuesit. Ky ka qenë premtimi i ministrit Klosi në Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës.

“Prandaj ne do të përpiqemi që nëpërmjet mekanizmave që bëjmë ne të rriturit, të ndryshojmë ligjet, ligjin “Kundër Dhunës”, ndryshime ligjore për ta bërë më gjithëpërfshirës. Ligjin “Për Mbrojtjen e Fëmijëve” që e kemi tashmë në Parlament, ku prezenca e punonjësve socialë dhe psikologëve nëpër shkolla dhe për fëmijët do të jetë thelbi i një fushate të madhe që duam të ndërtojmë për të qenë fëmijët sa më pranë këshillimit, për të qënë sa më të hapur dhe të deklarojnë çdo shfaqje dhune”, deklaroi Klosi.

Për herë të parë, në kuadër të kësaj dite, nxënësit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, në orën e parë të mësimit mësuan mbi refuzimin dhe denoncimin e dhunës.

“Unë ju përgëzoj të dashur nxënës dhe mësues të kësaj shkolle dhe jam e bindur që kjo nuk do të mbetet vetëm mesazh i një ore por do të jetë një reagim i yni qytetar ndaj shfaqjeve të tilla, që kurrësesi nuk mund të jenë të pranueshme për shoqërinë tone”, tha nga ana tjetër ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Ndërkohë, për të denoncuar çdo rast dhune, neglizhence apo bullizmi fëmijët mund të telefonojnë në numrin e këshillimit: 116/111.

Top Channel