Austri, kandidati presidencial: Mbase referendum për BE-në

24/11/2016 08:40

Kandidati presidencial i ekstremit të djathtë në Austri tha se do të kërkojë organizimin e një referendumi për anëtarësimin në BE, nëse unioni bëhet më i centralizuar pas Brexit. Në një intervistë për BBC, Norbert Hofer tha se blloku evropian është i rëndësishëm për Austrinë, por ai dëshiron një Bashkim Evropian më të mirë.

Lideri i Partisë së Lirisë tha se vota për të nuk do të jetë një votë për daljen e Austrisë nga BE-ja, por ai shtoi se ka dy çështje që mund ta bëjnë të ndryshojë mendim. E para është anëtarësimi i Turqisë në BE dhe e dyta reagimi i unionit ndaj Brexit.
 
“Nëse përgjigja ndaj Brexit është krijimi i një Evrope të centralizuar, ku parlamentet kombëtare nuk kanë fuqi dhe ku unioni qeveriset si një shtet, atëherë ne do të zhvillojmë një referendum në Austri, sepse kjo sjell ndryshime kushtetuese”, deklaroi Hofer.
 
Zgjedhjet presidenciale në Austri do të përsëriten më 4 dhjetor dhe sondazhet tregojnë se kandidatët janë shumë pranë. Nëse Hofer fiton, do të bëhet kreu i parë i shtetit i ekstremit të djathtë në BE. Rivali i tij i pavarur, Alexander van der Bellen fitoi zgjedhjet në maj, por rezultati u anulua nga Gjykata e Lartë për shkelje të rregullave të votimit.

Top Channel