Guardiola i falet dygolëshit të Toure, ngec Liverpool

19/11/2016 00:00

Pep Guardiola duket se ka marrë vendimin më të mirë kur vendosi të rikthente në formacion mesfushorin rebel Yaya Toure. Pas përplasjeve publike mes tyre, Toure luajti ndeshjen e parë si titullar me Guardiolën dhe realizoi dopietë në sfidën që City e fitoi 2-1 ndaj Crystal Palace.

Mesfushori i Bregut të Fildishtë realizoi golin e parë në minutën e 39, por vendasit barazuan në të 66-n. Mirëpo shtatë minuta nga fundi, Toure shënoi golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e Guardiolës.

Liverpool nuk arrin më shumë se një barazim pa gola në transfertën ndaj Southampton. “Të kuqtë” e Jurgen Klopp nuk arritën të thyenin mbrojtjen e vendasve dhe tani rrezikojnë të zbresin nga froni në rast se Chelsea fiton ndaj Middlesbrough.

Leicester nuk është as hija e sezonit të kaluar. Kampionët u mundën 2-1 nga Watford. Skuadra e Mazzarrit shënoi dy gola të shpejtë me Capoue dhe Pereyra që realizuan brenda 12 minutave të para, ndërsa Mahrez ngushtoi epërsinë e vendasve nga pika e bardhë.

Deri në fund nuk ndryshoi asgjë në rezultat dhe Leicester vazhdon të vuajë larg shtëpisë, ku pas 6 ndeshjesh në transfertë nuk ka fituar asnjë.

Everton arriti të shmang humbjen në shtëpi nga Swansea. Miqtë ishin në epërsi nga minuta e 41 falë Sigurdsson që shënoi nga pika e bardhë, por Coleman barazoi në të 89-n për të qetësuar tifozët të cilët prisnin një fitore të sigurt pas turpërimit nga Chelsea në ndeshjen e fundit.

Stoke i Xherdan Shaqirit u mposht 0-1 në shtëpi nga Bournemouth. Ake shënoi për miqtë në pjesën e parë, ndërsa Krkic kishte mundësinë më të mirë për të barazuar, por dështoi nga pika e bardhë.

Sunderland i David Moyes mori fitoren e dytë radhazi, kësaj radhe ndaj Hull. Defoe e Anichebe u kujdesen për 3 pikët e reja dhe për të rikthyer buzëqeshjen e përkohshme në Stadiumin e Dritave, ku në një moment edhe dritat ikën.

Top Channel