Tragjedi në Babrru, foshnja digjet në shtëpi, zjarrfikësit shpëtojnë fëmijën tjetër

17/11/2016 00:00

Një vajzë 2-vjeçare humbi jetën tragjikisht pas një zjarri që ra mëngjesin e së enjtes, në kasollen e familjes Hamza në zonën e Babrrusë në kryeqytet. Shkak i zjarrit në banesën e familjes që mësohet se i përket komunitetit rom, mendohet të jetë bërë një rezistencë që ishte lënë ndezur, ndonëse në kasollen prej druri ndodheshin vetëm dy fëmijë, 2 dhe 4 vjeç.

Familja Hamza kishte pak kohë që banonte në lagjen “Shpat” të Babrrusë pasi kishin ardhur nga qyteti i Vlorës. Ata kishin marrë një tokë me qira ku kishin ngritur kasollen e tyre.

Megjithë zonën e thellë dhe rrugën e amortizuar, forcat zjarrfikëse kanë bërë maksimumin duke mbërritur në një kohë rekord në vendngjarje, por pa mundur të shpëtojnë jetën e vajzës.

“Zjarri ra nga ora 8 e 30. Zjarrfikëset erdhën para nesh, por ishte e pamundur për të ndërhyrë. Janë fukarenj, vet i katërt, gruaja pa punë, i ati mblidhte kanoçe, ja dhe dërrasat që kishte marrë për të mbrojtur kalamajtë nga i ftohti”, tha një banor.

Fatmirësisht nga zjarri shpëtoi fëmija tjetër, djali 4-vjeçar i familjes Hamza, ndërsa në banesë ndodheshin edhe 2 bombola gazi të cilat dyshohet të kenë favorizuar përhapjen e flakëve fatale.

Përballë kasolles së djegur, jetojnë të afërm të familjes Hamza të cilët e kanë patur të pamundur të ndërhyjnë për të shuar zjarrin.

Top Channel