Shpresa e fundit e Hillary Clinton

10/11/2016 00:00

Shpresa vdes e fundit dhe ajo nuk ka vdekur ende për demokratët që nuk e kapërdijnë dot humbjen e Hillary Clinton në zgjedhjet e 8 nëntorit përballë Donald Trump.

Mundësitë që të ndodhë janë thuajse zero (për të mos thënë zero fare), por sërish New York Post thotë se ka një rrugë (mision i pamundur) sesi në vend të Trump, detyrën më 20 janar ta marrë Hillary Clinton.

Sipas sistemit elektoral amerikan, amerikanët vetë nuk votojnë drejtpërdrejtë për Presidentin e tyre të ardhshëm, por për përfaqësuesit e Kolegjit Elektoral. Pikërisht këta të fundit mblidhen dhe zgjedhin kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Në këto zgjedhje, Donald Trump ka siguruar 290 përfaqësues në këtë Kolegj, ndërsa Hillary Clinton, ndonëse mori rreth 200 mijë vota popullore më shumë, siguroi vetëm 228 përfaqësues.

Pikërisht në këtë Kolegj varet shpresa e fundit e demokratëve. Mbështetësit më të zjarrtë të Hillary Clinton nuk duan të pranojnë humbjen, ashtu siç bëri vetë kandidatja demokrate. Tashmë ata shpresojnë që një pjesë e 290 përfaqësuesve që morën votën popullore në emër të Donald Trump, ta injorojnë atë dhe të zgjedhin Hillary-n.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në të shkuarën, por New York Post thotë se kur të mblidhet më 9 dhjetor, nuk ka asnjë pengesë ligjore, as kushtetuese që një përfaqësues i Kolegjit të ndryshojë mendim dhe të mbështesë një tjetër emër nga ai për të cilin ka bërë fushatë.

Top Channel