F1, Interlagosi, pista ku përcaktohen kampionët

08/11/2016 00:00

Çmimi i Madh i Brazilit, jo pak herë ka vendosur për titullin kampion bote për pilotët, gjë që pritet të ndodhë edhe këtë radhë.

Që nga viti 2005, në “Interlagos” janë mësuar emrat e “mbretërve” të Formula 1. Nëse Rosberg fiton garën në Brazil, ai shpallet kampion bote dhe i jep fund ëndrrës së Hamiltonit për të fituar titullin e katërt.

Britaniku, nga ana e tij, në 9 pjesëmarrje në “Interlagos” nuk ka mundur të fitojë asnjëherë garën, edhe pse në vitin 2008 siguroi në këtë pistë titullin e tij të parë botëror.

Në vitin 2005, sërish në Brazil, Fernando Alonso fitoi titullin e tij të parë kampion bote në Formula 1, duke i dhënë fund epokës “Shumacher-Ferrari”. Historia u përsërit edhe një vit më pas, me spanjollin që fitoi botërorin e tij të dytë në karrierë.

Në vitin 2007 fitoi Raikkonen. Finlandezi vinte në garën braziliane si piloti i tretë në klasifikim, por ai fitoi si Çmimin e Madh, ashtu edhe titullin e tij të vetëm, duke lënë pas dy pilotët e McLaren, Hamilton e Alonso.

Botërori i vitit 2008 është ai që kujtohet më shumë nga admiruesit e Formulës 1. Felippe Massa, në atë kohë pilot i Ferrarit, po fitonte garën dhe titullin, por Hamilton parakaloi vetëm në kthesën e fundit Timo Glock, duke marrë pikën që i siguronte atij titullin botëror.

Në vitin 2009 ishte Jenson Button, ai që mbylli llogaritë e kampionatit në Sao Paulo, me britanikun që në atë kohë garonte me Brawn GP.

Hera e fundit që “Interlagos” u bë përcaktues për kampionin e botës ishte në vitin 2012, me Sebastian Vettel që ia doli mbanë, pasi e mbylli garën në vendin e 7, edhe pse e nisi atë nga fundi.

Top Channel