Rama: Do të çlirohet territori i UBT

01/11/2016 00:00

Të gjitha familjet që banojnë brenda hapësirës së Universitetit Bujqësor, në Kamëz do të largohen. Kryeministri Edi Rama deklaroi se territori do t’i kthehet universitetit dhe studentëve.

“Ju mund të thoni shumë fjalë të bukura në këtë 65 vjetor, por ne për 25 vite na ka në pushtuar. Çdo godinë që nuk i takon universitetit do të shembet dhe çdo familje që nuk ka lidhje me universitetin do të largohet. Ky territor do të bëhet atdheu i ekselencës shqiptare të zhvillimit rural”, deklaroi Rama në 65-vjetorin e krijimit të këtij universiteti.

Por ky nuk ishte i vetmi lajm që u prit me ovacione nga salla.

“Nëse ju ndihmon një ëmbëlsirë në fund të fjalimit të hidhur… do t’ju rrisim rrogat”, tha Kryeministri.

Kryeministri tha se paralelisht do të punohet për kampusin e universitetit, që sipas tij ka të gjithë potencialin për t’u shndërruar në konsulentin kryesor të qeverisë për politikat rurale, por edhe të mijëra fermerëve në vend.   

Top Channel