E krishterë në Irak, historia e mbijetesës në një vatër myslimane konflikti

31/10/2016 00:00

Zarifa Badoos Daddo i mbijetoi për dy vjet sundimit gjakatar të ISIS-it në qytetin e saj ku xhihadistët e kishin kërcënuar jo pak herë, e kishin detyruar të pështynte mbi kryqin dhe në fund, e kishin shtyrë të shkelte me këmbë imazhin e virgjëreshës Mari.

Atëherë kur shpresat thuajse i ishin venitur, forcat irakiane që po avancojnë drejt Mosulit i detyruan militantet e dhunshëm të largohen nga qyteza më e madhe e krishtere e vendit, Qaraqosh e Daddo, arriti të bashkohej me familjarët e saj. Këta të fundit e mendonin të vdekur prej kohesh.  Ndonëse fizikisht nuk e kanë lënduar, e moshuara rrëfen se ishte pre e terrorit psikologjik.

“Tre djem të rinj, vullnetarë ishin, me hynë brenda në shtëpi. Morën këtë fotografi dhe atë atje. Pastaj morën kryqin, qëndruan tek dera e më thanë se duhet ta pështyja. Po qaja brenda vetes, por nuk mund ta tregoja nga jashtë. Kur më vunë të shkelja foton e Shën Mërisë, i kërkoja falje: o Mari po e bëj, por nuk e kam më të vërtetë. Ishim dy gra të vetme këtu. Na mbinin në shtëpi gjithë kohën, vinin natën, ndonjëherë i gjeje këtu në katër të mëngjesit. Ishim të tmerruara”, shprehet Zarifa Daddo.

Shumica e banorëve të Qaraqoshit u larguan në drejtim të rajonit autonom kurd mbi dy vjet më parë, kur në zonë po afroheshin militantët e Shtetit Islamik. Daddo mbeti pas me një tjetër grua të vjetër.

Minoriteve fetare në veri të Irakut, përfshirë të krishterët dhe Yazidit, xhihadistët i rezervuan një trajtim mizor duke vrarë e debatuar shumë prej tyre gjatë pushtimit të territoreve në 2014-n, kur shpallën krijimin e kalifatit islamik.

Top Channel