Përjashtimi numër 13! Mou rrezikon pezullimin

30/10/2016 00:00

Jose Mourinho u përjashtua për herë të parë nga një ndeshje si trajneri i Manchester United, por me shumë gjasa do të vuajë një pezullim nga Federata Angleze në një tjetër episod kontrovers të karrierës së tij.

Portugezi gjithmonë vullkanik në pankinë u detyrua të shihte si spektator pjesën e dytë të barazimit 0-0 ndaj Burnley-t pas një përplasjeje me arbitrin Mark Clattenburg.

Me këtë polemikë të fundit, Mou nuk është ndjerë aspak krenar kur u përjashtua për herë të 13 në karrierën e tij, që nga Porto, Chelsea, Inter, Real dhe së fundmi United.

Trajneri portugez ende nuk e ka kaluar një çështje për sjellje jo sportive për komentet ndaj arbitrit Anthony Taylor dy javë më parë, por episodi i së shtunës, e shton dosjen e tij në duart e komisionerëve.

Kjo edhe për shkak të disa udhëzimeve jo të lejueshme që ai i transmetoi zëvendësit në pankinë, por që nuk i dhanë “djajve” më shumë se një pikë.

Karriera e “Specialit” është e karakterizuar nga gjoba dhe pezullime dhe para se të emërohej te “djajtë e kuq”, drejtuesit ishin menduar shumë për cenimin e imazhit që portugezi mund t’i bënte klubit.

Vite më parë gjesti i tij i prangave në një ndeshje të futbollit italian bëri xhiron e botës dhe i kushtoi dënimin Mourinhos, ndërsa një tjetër episod me luzitanin protagonist, është një gisht i futur në syrin e Tito Vilanovës, asokohe zëvendëstrajner i Barcelonës.

Top Channel