Bogdani: Jam gati të drejtoj Shpresat

29/10/2016 00:00

Kombëtarja U21 ende nuk ka trajner. Takimi i disa ditëve më parë mes Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe stafit të tij teknik të federatës nuk ka nxjerrë asgjë konkrete sa i përket kandidatit për postin e trajnerit të Shpresave që është lënë bosh nga përfundimi i kontratës së Redi Jupit.

Këto ditë ka pasur disa emra që kanë qarkulluar për të marrë këtë post dhe që të dy janë ato të pjesëtarëve të stafit kuqezi, ish-lojtarët të kombëtares Alban Bushi, aktualisht menaxher i kombëtare dhe Erion Bogdanit, ndihmës i De Biazit.

Në një intervistë për Top Channel, ky i fundit mendon se është gati që të marrë përgjegjësi të reja.

“Është një gjë që unë e ëndërroj sepse kam tre vite që kam bërë kurset dhe kam parë shumë stërvitje të ndryshme në Itali dhe kam më shumë se 1 vit me ekipin kombëtar, prandaj mendoj se jam gati”, u shpreh Erion Bogdani.

Veç Bogdanit e Bushit, ekziston mundësia e spostimit të trajnerit të kombëtares U17, Xhemal Mustedanagiç, një i preferuar i Presidentit Duka, por ende asgjë konkrete.

Nga takimi i fundit presidenti Duka ka kërkuar më shumë kohë për të zgjedhur këtë trajner dhe me shumë gjasë vendimi do të merret pas ndeshjes me Izraelin.

Top Channel