Veterani në “La Roja”, Villa kthehet në fokus te Spanja

28/10/2016 00:00

Oshilacionet në repartin ofensiv mund të rikthejnë një sulmues veteran në kombëtaren spanjolle të futbollit. David Villa mund të veshë sërish fanelën e “La Roja”-s pasi është në fokusin e trajnerit Hulen Lopetegi, që mund t’i besojë eksperiencës së lojtarit për sfidat e ardhshme kualifikuese të botërorit 2018.

Ish-bomberi i Atleticos, Valencias, dhe Barcelonës ka shënuar 59 gola në 97 ndeshje me kombëtaren spanjolle. Por që prej ndeshjes ndaj Australisë në botërorin 2014, ai mungon në apelin e skuadrës që dominoi futbollin global mbi një dekadë.

Tashmë 34 vjeçar, David Villa ka qenë në formë të shkëlqyer me New York City-n, ku ka shënuar 23 gola në 33 ndeshje.

“Përfitova nga një vizitë e imja në Nju Jork me gruan dhe familjen dhe pashë David Villa-n duke luajtur. E vërteta është që ai shkëlqeu dhe luajti me një intensitet të madh. Dhe nëse vazhdon kështu, atëherë do të vendosin në të ardhmen rikthimin e tij. Ne nuk ia mbyllim derën asnjë futbollisti dhe kemi konsideratë për ata që e kanë ndihmuar dhe mund të ndihmojnë kombëtaren”, tha trajneri i Spanjës, Hulen Lopetegi.

Tekniku iberik iu referua sfidës së fituar nga New York City ndaj Columbus, aty ku shënoi dhe David Villa.

Top Channel