“Kosova, në dashuri me familjen Clinton”

27/10/2016 00:00

Fushata presidenciale amerikane është ndoshta ajo që po ndiqet me më shumë interes në historinë e këtij vendi, kjo edhe për shkak të pjesëmarrjes në garë të një kandidati kontrovers si Donald Trump.

Ndërsa mbështetësit e Hillary Clintonit po shtohen gjithnjë e më shumë, tani që rreziku i një presidenti jo konvencional si Trumpi bëhet gjithnjë e më real. Ka nga ata që familjen Clinton e kanë adhuruar ngahera, si për shembull kosovarët…

Prestigjiozja britanike BBC i dedikon një reportazh, asaj që e quan “Historia e dashurisë së Kosovës me familjen Clinton”. Media britanike thotë se ky shtet gëzon vlerësimin më të lartë për ish-presidentin Bill Clinton, emrin e të cilit ia ka vënë një bulevardi në Prishtinë. Dhe jo vetëm kaq, por ka ngritur një statujë të madhe në nder të tij, ku ish-presidenti demokrat shfaqet me krahun e ngritur në shenjë përshëndetjeje.

Jashtë adhurimit nuk mund të mbetej bashkëshortja Hillary. Vetëm pak metra larg statujës gjendet një dyqan veshjesh për gra, që mban emrin e saj, e që i shton një element hijeshie historisë, siç pohon BBC.

Britanikja citon pronaren e dyqanit teksa thotë se, në Kosovë familja Clinton vlerësohet shumë, kryesisht për rolin në fushatën bombarduese të NATO-s që i dha fund konfliktit në vitin 1999. Dyqani ekspozon veshje që i përshtaten stilit të preferuar të ish-Sekretares amerikane të Shtetit dhe klientet e tij janë gra të biznesit e politikës, që ndoshta duan të përvetësojnë pak nga karizma e Hillary.

“Respekti dhe mirënjohja ndaj familjes Clinton ka rrënjë të thella”, thotë BBC, që citon gjithashtu zv.ministrin e Jashtëm Petrit Selimi. Por ndërsa shumë kosovarë ndiejnë një lloj marrëdhënieje të veçantë me SHBA-të dhe familjen Clinton në veçanti, ka të tjerë që sugjerojnë se kjo është një romancë shumë e njëanshme.

Media citon Andrea Capusselën, një ish-zyrtar ndërkombëtar në Prishtinë dhe autor i librit të fundit “Shtetndërtimi në Kosovë”. Sipas tij, qeveritë perëndimore dhe sidomos Uashingtoni e panë Kosovën si një rast për të krijuar parimin se, atje ku ata shohin një krizë humanitare mund të ndërhynin ushtarakisht pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit. Ai kujton gjithashtu se, megjithëse përfshirja e Clintonëve në Kosovë ishte kufizuar në vizita të shkurtra, disa zyrtare të tjera amerikane që kishin lidhje me bombardimet e vitit 1999 kishin tentuar të thellonin marrëdhënien, edhe në sferën e biznesit.

Capussela pretendon se në një vend me korrupsion të përhapur si Kosova, një lidhje e fortë që mbështetet në atë që administrata Clinton bëri për vendin, mund të hedhë bazat për një marrëdhënie jo të shëndetshme biznesi.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel