Magani ikën nga Flamurtari, do drejtojë Teutën

25/10/2016 00:00

Pas mëse një jave pritjeje dhe negociatash, marrëveshja mes Flamurtarit dhe trajnerit Gugash Maganit ka përfunduar. Ai nuk do të jetë më trajneri i Flamurtarit, por nga dita e enjte do të prezantohet si trajneri i Teutës.

Pas një periudhe të suksesshme në Durrës sezonin e shkuar, largimi i tij për tek skuadra vlonjate nuk ka funksionuar dhe kjo për shkak të problemeve financiare të lindura që në fillim të këtij sezoni. Nëpërmjet një sms-je trajneri Magani ka njoftuar largimin duke mos dhënë asnjë arsye publike.

Prapaskenat e këtij largimi lidhen me problemet financiare që ka skuadra vlonjate, e cila është futur në një situatë kaosi ku veç trajnerit janë dhe shumë lojtarë që kërcënojnë me largime apo hedhje në gjyq, sepse nuk paguhen që nga muaji korrik.

Aktualisht skuadrën e Flamurtarit do ta drejtojë Gentian Mezani. Ndërkohë që sa i përket Maganit ai me sa duket ka rënë dakord për t’u rikthyer në Durrës duke mos humbur kohë në rikthimin e tij aktiv në Superligë.

Top Channel