Veliaj: Interesi i qytetarëve është në fokusin e punës tonë, investime në çdo lagje

25/10/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikualifikimin urban të bllokut të banimit përgjatë rr. “Vëllezërit Manastirliu”. Projekti parashikon ndërhyrjen në një sipërfaqe prej 3.5 ha ku përfshihen punime edhe në 8 segmente rrugore.

“Më vjen mirë që po ndërhyjmë në Rr. “Vëllezërit Manastirliu”, që njihet ndryshe si blloku mbas rrugës së ambasadave. Ka ardhur koha ta bëjmë këtë lagje si ‘jashtë shtetit’, me infrastrukturë të denjë, duke qenë se ndodhet shumë pranë selive diplomatike të Tiranës”, tha Veliaj gjatë inspektimit të nisjes së punimeve.

Kryebashkiaku Veliaj garantoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të punojë me moton e saj: “Një punë konkrete çdo ditë”.

“Është e vetmja përgjigje që njohim për t’i bërë ballë një mentaliteti, i cili kur e kishte në dorë Tiranën, fjeti gjumë, kurse tani shan edhe shpif, ndërkohë që fokusi duhet të jetë, si ta ngrysim ditën me një punë në dobi të qytetarëve. Bashkia e Tiranës ka vetëm një qëllim: T’i shërbejë qytetit! Do të thotë që interesi i madh i qytetarëve është shumë herë më i fuqishëm se interesi i vigël i dikujt që zë një hapësirë publike, bllokon një trotuar ose ndërton një mur në mes të rrugës”, përfundoi ai.

Top Channel