SHBA, blerja e “Time Warner” nga “AT&T” ngre dyshime për monopol

24/10/2016 00:00

Ligjvënësit amerikanë dhe kandidatët presidencialë kanë ngritur dyshime për blerjen e kompanisë “Time Warner” nga kolosi i telekomunikacionit “AT&T”. Ky i fundit po paguan 85.4 miliardë dollarë për “Time Warner”, e cila zotëron televizonet CNN dhe HBO.

Mësohet se dyshimet e ngritura nga shumë figura politike në SHBA kanë bërë që Senati amerikan të organizojë një seancë dëgjimore në një nënkomitet që merret me konkurrencën. Megjithatë, zyrtarë të kompanisë “AT&T” thonë se rregullatorët do ta miratojnë marrëveshjen.

Por disa politikanë dyshojnë se blerja e “Time Warner” krijon probleme serioze monopoli. Kjo blerje apo shkrirje kolosale, që do të lajmërohet zyrtarisht pa u mbyllur viti, do të kombinojë rrjetin shpërndarës të “AT&T”, ku përfshihen 130 milionë abonentë të telefonisë celulare dhe 25 milionë abonentë të shërbimit kabllor, me përmbajtje nga studiot kinematografike “Warner Brothers” dhe të televizioneve “HBO”, “Cartoon Netëork” dhe “CNN”.

Kritikët, apo ata që dyshojnë te marrëveshja, thonë se veçse krijohet një monopol i fuqishëm, kjo blerje do të sjellë çmime më të larta për konsumatorët dhe zgjedhje më të pakta. Hillary Clinton u tregua mjaft diplomatike, duke thënë se ky transaksion duhet shqyrtuar mirë, pasi ngjall pikëpyetje dhe shqetësime.

Ndërsa Donald Trump, në stilin e tij të zakonshëm tha se, do ta ndalë blerjen e “Time Warner” nga “AT&T” nëse zgjidhet president, sepse kjo shkrirje vendos shumë fuqi në duart e pak njerëzve.

Deri më sot “AT&T” zotëronte platformën ku njerëzit ndiqnin programe, por tashmë me blerjen e “Time Warner” do të zotërojë edhe përmbajtjen e tyre. Blerja e “Time Warner” e bën “AT&T”-në një kompani të vërtetë mediatike dhe një nga më të fuqishmet në botë në këtë kuadër.

Kritikët thonë se “AT&T” mjafton të ofrojë për klientët e saj të telefonisë programe pa pagesë ekstra të internetit dhe e dërrmon konkurrencën saq hap e mbyll sytë.

Top Channel