Nafta rritet 5 lekë, taksisti: Fitimin e rrudh çmimi i lartë

21/10/2016 00:00

Qani Blloshmi punon prej 15 vitesh si taksist. Ai thotë se fitimi që nxjerr nga puna rrudhet nga çmimi i lartë i karburanteve.

“Vendet fqinje si Maqedonia e Kosova i kanë çmimet shumë më të lira se Shqipëria. Jo vetëm në vendet e rajonit, por mund të thuash se është çmimi më i shtrenjtë në botë dhe krijon vështirësi”, tregon Blloshmi.

Ditët e fundit çmimi i naftës në treg u rrit edhe me 5 lekë të tjera për litër. Në pikat me pakicë, një litër naftë aktualisht shitet me një çmim që varion nga 168 deri në 170 lekë.

“Nga ne ka disa persona që i ndryshojnë makinat nga karburant me naftë, në benzinë dhe gaz. Por edhe kjo është problematike dhe sjell defekte”, thotë Blloshmi.

Jashtë kamerave tregtarët e karburanteve thonë se rritja e çmimit është rezultat i shtrenjtimit të naftës në bursë, por edhe rritjes së taksave në vend.

Në tregjet ndërkombëtare nafta shitet aktualisht me 51.3 dollarë për fuçi, kur në fund të shtatorit shitej me 46.8 dollarë. Paralelisht, sipas tyre, ditët e fundit bashkitë janë duke mbledhur taksën e riliçensimit, e cila u rrit disafish me paketën e re të taksave vendore.

Sipas tregtarëve, të dy këta faktorë e kanë rritur çmimin e naftës me 4 deri në 5 lekë për litër, çka ata e kishin paralajmëruar që më parë, kur e ankimuan rritjen e taksave vendore në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel