Europa League, nuk ndalen Schalke 04 dhe Shakthar

20/10/2016 00:00

Në grupin I, Schalke 04 nuk di të ndalet. Një gol i ukrainasit Konoylpianka në minutën e 11-të u mjaftoi gjermanëve për të mposhtur me rezultatin 0-1 Krasnodarin në transfertë. Me të njëjtat shifra dhe falë një goli të Plea Nice kaloi Salzburgun dhe tashmë ka shanse për tu kualifikuar.

Në grupin G spektakël dhe gola në sfidën e zhvilluar në Balaidos mes Celta Vigos dhe Ajaxit. Përfundoi gjithcka në barazim 2-2 edhe pse miqtë kaluan dy herë në avantazh. Për Ajaxin shënuan Ziyech dhe Younes ndërsa për Celta Vigon, Fontas dhe Orellana. Me të njëjtat shifrat u mbyll dhe ndeshja tjetër e këtij grupi mes Standartit të Liezhit dhe Panathianaikos. Grekët e panë veten në avantazh të dyfishtë me golat e kolumbianit Victor Ibarbo, por skuadra belge barazoi shifrat falë finalizimeve të Junior dhe Belfodil.

Në grupin H, Shakthar Donetsk hodhi një hap të sigurtë drejt kualifikimit me fitoren e thellë 5-0 ndaj belgëve të Gent. Kovalenko, Ferreira, Bernard, Taison dhe Malyshev ishin autorët e golave për ekipin ukrainas që koleksionoi fitoren e tretë në po kaq ndeshje. Në sfidën tjetër të grupit, Konyaspori barazoi 1-1 me Bragën. Milosevic u dha epërsinë vendasve ndërsa Hassan shënoi për miqtë. U aktivizua në 45 minutat e dyta të këtij takimi edhe Alban Meha.

Në grupin J, ligjin e bën Fiorentina. Vjollcët e Paulo Souzës falë një dygolëshi të Kalinic dhe finalizimit të Babacar triumfuan me shifrat 1-3 në transfertën ceke përballë Slovan Liberec. Në takimin tjetër të këtij grupi Qarabagu me Ansi Agollin në formë të shkëlqyer kolekisonoi fitoren e parë pasi mundi 2-0 Paokun e Selanikut. Golat për skuadrën azere u shënuan nga Quintana dhe Amirguiliev.

Në grupin L dhe atë të fundit, Villareali vazhdon të qëndrojë në krye falë edhe barazimit 2-2 që arriiti ndaj Osmanlisporit në transfertë. Turqit në pak sekonda shënuan dy herë me rumunin Rusescu, por Ndiaye dhe Pato me golat e tyre në pjesën e dytë i dhanë një pikë nëndetses së verdhë. Pa Armando Sadikun dhe Burim Kukelin, Zurich mori një pikë përballë Steauas. Në Bukuresht përfundoi gjithcka në barazim 1-1. Vendasit kaluan të parët në avantazh me Golubovic ndërsa Kone, 4 minuta përpara fundit barazoi shifrat.

Top Channel