Duterte në Kinë, mesazh SHBA-ve: Është koha të ndahemi

20/10/2016 00:00

Presidenti kinez Xi Jinping ka mirëpritur në Pekin homologun filipinas Rodrigo Duterte, një vizitë të cilën ai e ka cilësuar si “gur kilometrik” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Duterte mbërriti në kryeqytetin kinez të martën, në kuadër të një vizite 4-ditore, me qëllim nxitjen e tregtisë por edhe zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve.

Sidoqoftë, vizita ka shërbyer më tepër si një tregues i përpjekjeve të Duterte për t’u afruar me Kinën dhe për t’u shkëputur nga ndikimi i Shteteve të Bashkuara, aleati i vjetër i Filipineve.

Kjo tendencë u konfirmua ditën e djeshme, kur gjatë një fjalimi para komunitetit filipinas në Pekin, Duterte deklaroi se synon t’u thotë “lamtumirë” marrëdhënieve me Uashingtonin.

“Është koha të themi lamtumirë, miku im. Prania jote në vendin tim ka qenë vetëm në interesin tënd”, tha Duterte.

Ndërkohë, gjatë takimit mes dy presidentëve, të dyja palët janë shprehur të gatshme për të ecur përpara në zgjidhjen e kontestit të ishujve në Detin e Kinës së Jugut, edhe pse çështja në fjalë nuk ka qenë në fokus të bisedimeve.

“Të dyja palët e përmendën fare pak Detin e Kinës së Jugut. Megjithatë, ato kanë rënë dakord për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut dypalësh”, ka deklaruar zv.ministri i Jashtëm kinez, Liu Zhenim pas takimit.

Top Channel