Kosovë, zv.drejtori i policisë: Efektivët nuk e kanë të ndaluar të kalojnë në Serbi

18/10/2016 00:00

Në raportin e tij para Komisionit për Punët e Brendshme, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha ka dhënë hollësi rreth arrestimit nga autoritetet serbe të drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës Jugore, Nehat Thaçi.

Sipas tij, menjëherë pas mësimit të këtij lajmi, stacioni policor në pikëkalimin e Dheut të Bardhë ka lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e më pas është njoftuar Ministria e Brendshme dhe shefi i EULEX-it.

Naim Rexha tha se, sipas një dëshmitari, nënkoloneli Thaçi e ka kaluar kufirin rreth orës 20:10, të datës 28 shtator. Ai mohoi informacionet e publikuara në media, sipas të cilave policia ua ka ndaluar pjesëtarëve të saj të kalojnë në Serbi.

“Ne u kemi sugjeruar pjesëtarëve të policisë që të mos kalojnë në Serbi, por nuk ua kemi ndaluar këtë gjë”, tha ai.

Më tej, Rexha theksoi se drejtori i Policisë së Mitrovicës nuk ka qenë në detyrë në momentin e arrestimit.

“Ne e kemi detyrim të tregojmë se ku do të jemi gjatë kohës së pushimit dhe të lëmë një numër kontakti. Nehat Thaçi ka thënë se do të shkonte në Gjermani, por nuk ka dhënë informacione se cilën rrugë do të ndiqte”, tha zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

I pyetur nga deputetët anëtarë të Komisionit, nëse kjo ishte hera e parë që Thaçi kalonte në Serbi, Naim Rexha e konfirmoi këtë sipas sistemit të kontrollit të Policisë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.

Megjithatë, deputeti Daut Haradinaj ka cituar kolegun e tij të Kuvendit të Kosovës, Bojan Mitiç, i cili ka deklaruar se Nehat Thaçi e ka kaluar kufirin më shumë sesa një herë.

Top Channel