PD: Antimafia, e shqetësuar për sasitë e kanabisit nga Shqipëria

17/10/2016 00:00

Kryetari i Departamentit për rendin dhe sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj ka folur sërish këtë të hënë për përfshirjen e strukturave shtetërore në kultvimin e kanabisit.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj i është referuar një programi të transmetuar në kanalin televiziv italian Rai3, ku autoritetet e vendit fqinj shprehin shqetësimin për intensifikimin e sasive të narkotikëve që vijnë nga Shqipëria.

“Prokurori i Antimafias, Cataldo Motta jep alarmin për sasi të kanabisit të pakapura më parë. Në 1 javë janë kapur nga policia italiane 3.8 tonë kanabis nga Shqipëria. Edi Rama e mohon, por Motta ka deklaruar se autoritetet shqiptare nuk janë të gatshme të luftojnë drogën”, ka deklaruar Alibeaj.

Ai ka theksuar se, programi i transmetuar nga Rai3 tregon se funksionarët e shtetit marrin 40 euro për çdo bimë të kultivuar, para që sipas tij do të përdoren nga kryeministri dhe qeveria e tij për të blerë zgjedhjet e ardhshme.

“Ekonomia e drogës është e vetmja ekonomi që funksionon, ku janë fokusuar të gjitha të ardhurat dhe asetet. Të gjithë e dinë këtë. Duhet të bashkohemi e t’i tregojmë vendin Edi Ramës”, ka shtuar Alibeaj.

Top Channel