Ditëlindja e Tanit të Top-it

16/10/2016 00:00

Në ditëlindjen e Tanit feston familja e madhe e Top Channel. Ashtu siç e ka traditë, çdo 16 tetor kur lindi Tani i Top-it, familja e televizionit më të madh dhe më të rëndësishëm në Shqipëri feston ditëlindjen e tij dhe ëndrrën që vazhdon duke prezantuar programacionin e këtij sezoni, 2016-2017.

“Në ditëlindje bëhen zakonisht bilance të një viti që lihet pas. Sa herë festojmë ditëlindjen e Tanit, këtu në Top Channel pyesim veten: sa afër ishim edhe këtë vit me idenë e tij për televizionin? Them sa afër, se fiks si e donte Tani, e di vetëm ai. Por besoj se nga aty ku po na sheh sot, ai buzëqesh i kënaqur. Sepse në këtë vit të Tanit, televizioni i tij është sërish i joni, por edhe i juaji. Besoj që në këtë ditëlindje të gjithë e ndjejmë këtë televizion edhe më të dashur, më të afërt, më familjar, sepse këtë ka dashur Tani gjithmonë. Ai donte që të gjithë ju, ne, shikuesit, të ndiheshim pjesë e tij”, u shpreh Vjollca Hoxha, presidente e Top Media.

Kjo ishte një ditëlindje e madhe, në lartësinë e ambicjes dhe ëndrrës që themeluesi Dritan Hoxha kishte që në krijimin e këtij televizioni. Top Channel ende vijon të jetë në “top” të mediave shqiptare, duke i ofruar audiencës informacionin më të saktë dhe programacionin sa më pranë tyre.

“Në këtë ditëlindje të Tanit, Top Channel është më i fortë, më transparent, më me integritet se një vit më parë. Dhe këtu nuk po flas për forcimin e tij ekonomik dhe financiar dhe për mirëmenaxhimin e të gjitha burimeve tona njerëzore dhe jo vetëm. Me programet dhe emisionet tona, informative, investigative, politike dhe argëtuese, jemi rikthyer sërish aty ku ishim, ku e meritojmë dhe ku donte Tani. Te numri 1 i telekomandës”, u shpreh më tej zonja Hoxha.

Ndërsa vitet kalojnë, Top Channel zgjerohet, maturohet e tranformohet çdo ditë e më shumë. Njërëz plot energji e mundësi të reja i bashkohen rrugëtimit të gjigandit të krijuar nga Tan Hoxha.

“Suksesi i këtij televizioni jeni ju. Ka nga ata që janë këtu që ditën e parë kur ai lindi. Ka të tjerë që punojnë nga më shumë se një dekadë. Ka nga ata që kanë ikur dje dhe ata që kanë ardhur sot. Ju them të gjithëve faleminderit. Ky sot është Top-i që do donte Tani. Dhe kjo është dhurata më e bukur që i bëjmë atij në ditëlindje”, tha më tej presidentja e Top Media.

Prandaj, edhe “Nothing Else Matters”, e preferuara e tij, edhe këtë ditëlindje u këndua si ngahera, për t’i lënë edhe këtë vit radhën suksesit, që Top Media e ka pjesë të vetën që në gjenezë e që familja Hoxha e ruan e dhe zhvillon gjithmonë e më shumë.

Top Channel