Juve, Allegri ndihet i gëzuar pas 7 fitoresh në 8 ndeshje

16/10/2016 00:00

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri rezervoi vetëm fjalë të mira për ekipin e tij, pavarësisht fitores pa shumë shkëlqim 2-1 ndaj Udinezes, që gjithsesi mban “Zonjën e vjetër” me 5 pikë më shumë sesa Roma ndjekëse.

Dy gola të Paulo Dybala, që erdhën si përgjigje ndaj avantazhit të miqve, e kanë bindur drejtuesin e bardhezinjve se, për të fituar titullin duhet të triumfosh pikërisht në këto sfida delikate.

“Dua të falënderoj futbollistët, pasi morëm 3 pikë të rëndësishme. Pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve është gjithmonë rrëmujë. Udineze ishte vendosur mirë në fushë dhe për këtë patëm vështirësi në pjesën e parë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, e nuk mund të flasim për arrati në krye, pasi 21 pikë nuk mjaftojnë as për mbijetesën”, tha trajneri i Juventusit.

“Kemi arritur 7 fitore në 8 ndeshje dhe kjo është një mesatare e mirë, por tani, të martën kemi një sfidë në Champions, ku na duhet rezultati. Ekipi antiJuve ishte në fillim Napoli ndërsa tani Roma, por duhet të llogarisim edhe Interin në pretendimet tona”, tha trajneri Allegri.

Top Channel