Bob Dylan fiton çmimin Nobel në Letërsi

13/10/2016 00:00

Nobelin e shumëpritur të Letërsisë këtë vit e rrëmbeu një njeri emri i të cilit veshët tanë nuk i ka rrahur si shkrimtar, por si një legjendë e rokut. Por Bob Dylan ka qenë për më shumë se 5 dekada një influence e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën popullore, jo vetëm me notat muzikore, por edhe me penën e tij.

Çmimi i lakmuar i dorëzohet pikërisht me këtë argument: krijimin e frazave të reja poetike brenda traditës madhështore të këngës amerikane.

I lindur në 1941-shin si Robert Allen Zimmerman, karrierën e tij muzikore Dylan e nisi  1959, duke interpretuar nëpër kafenetë e Minnesota-s. Vitet ‘60 sjellin bumin e krijimtarisë së tij, një shkëlqim që erdhi bashkë me shndërrimin e këtij njeriu të madh në një historian informal të telasheve të Amerikës.

Këngë si “Blowin in the Wind” dhe “The Times They are A-Changin” u kthyen në himne të antiluftës dhe të lëvizjeve për të drejtat qytetare.

Emri i Bob Dylan-it ishte lakuar prej kohësh si fitues i mundshëm i Nobelit, por të paktë ishin ekspertët që mendonin se akademia suedeze do ta shtrinte gamën e çmimit prestigjioz edhe në zhanre si muzika folk rok.

Gjiganti i letrave shqipe, Ismail Kadare, edhe pse është konsideruar prej kohesh një favorit për këtë nderim të lartë, sërish nuk arrin ta shtjerë në dorë çmimin të cilit i është afruar disa herë.

Kritikë francezë, gjermanë e amerikanë e kanë konsideruar shkrimtarin e madh shqiptar si mëse të përshtatshem për Nobelin e Letërsisë e me raste nuk kanë munguar as vërejtjet ndaj jurisë së Stokholmit për vonesa e paragjykime.

Top Channel