Boks, Fury dorëzon titujt WBO dhe WBA

13/10/2016 00:00

Tyson Fury dorëzon titujt e tij në kategoritë WBO dhe WBA për të nisur trajtimin e tij mjekësor. Boksieri britanik, i cili nuk ngjitet në ring që nga 29 nëntori i vitit 2015, ka pranuar se ka përdorur kokainë për të mposhtur depresionin, ndërkohë që sheh t’i pezullohet edhe licenca e boksimit.

Pasi fitoi ndaj Vladimir Klitschkos, Fury e ka shtyrë dy herë sfidën e revanshit me ukrainasin për të nisur një betejë tjetër.

“Jeta më ka vënë përballë një tjetër sfide të madhe të cilën unë do të arrij ta fitoj, ashtu sikurse bëra edhe me Klitschon. Mendoj se është diçka e drejtë dhe në të mirën e boksit  që të dorëzoj titujt e mi. I fitova ata në ring dhe duhet t’i humbja po aty, por në këtë moment nuk jam në gjendje që të ndeshem, kështu që mora vendimin e vështirë për të hequr dorë prej tyre”, tha Fury.

Sfida e revanshit mes Tyson Fury dhe Vladimir Klitschkos fillimisht u parashikua të zhvillohej në korrik, por ajo u shty për në 29 tetor. Por, edhe në këtë rast ajo nuk do të zhvillohet, duke parë edhe problemet me të cilat po përballet boksieri britanik.

Top Channel