I vetëm dhe pa mbështetje, historia e të riut që jeton me çfarë i falin të tjerët

11/10/2016 00:00

Muajve të fundit ditët i pret gjithmonë kështu, me shpresën se ndokush do të trokasë në derë për t’i ofruar diçka për të ngrënë. Riçard Pepa, është 21 vjeç, jeton i vetëm dhe me shumë vështirësi. Ka vetëm një strehë, por asgjë tjetër për të jetuar. Në një intervistë për “Pasdite në Top Channel”, ai rrëfen vështirësitë që ka hasur i vetëm pas vdekjes së prindërve.

Ndërsa fqinjët e tij tregojnë se si Riçardi jeton vetëm prej disa vitesh pas vdekjes së prindërve dhe ndihmesa që ata i japin herë pas here, pasi shpesh ai mund të jetë pa ngrënë fare.

Në shtëpinë e Riçardit prej afro një viti mungon energjia elektrike, pasi i riu nuk ka asnjë mundësi të paguajë borxhin e madh të krijuar ndaj OSHEE. E në mungesë të parave, të cilat nuk ka asnjë burim nga t’i sigurojë, skamja ka mbushur çdo cep të shtëpisë.

“Kam punuar kamarier më hoqën, pastaj kam punuar me dajën me kondicionerë, kam 7 muaj pa punë. Kam kërkuar por nuk kam gjetur, më kanë thënë do të kontaktojmë, por asgjë”, tregon Riçardi.

Nuk ka përkrahje nga njerëz të afërt dhe askush nuk po afrohet t’ia këpusë krahët varfërisë së këtij të riu, të cilit as forca dhe as dëshira për të punuar nuk i mungojnë.

“Motra të paktën të më kishte kontaktuar, kam njerëz të tjerë por u bë kohë e gjatë që nuk më kanë kontaktuar”, shprehet i përlotur ai, kur e pyesin se çfarë e mërzit më shumë.

Brengës së madhe që i shkakton mungesa e kontaktit me të motrën, i bashkohen edhe vështirësitë përballë të cilave 21-vjeçari duhet të luftojë i vetëm.

Ai kërkon një punë qoftë edhe me një pagë minimale që të përballojë jetesën dhe t’i rikthehet energjia elektrike në banesë që të mund të ketë edhe ai një jetë normale.
I ftuar në emision, Riçardi tregon se ka ndjekur këshillat e nënës, kur ajo ishte gjallë, duke zgjedhur shoqëri të mirë dhe duke i qëndruar larg “rrugëve të këqija”

“Kur kam qenë në shkollë merrja pension familjar, aplikimi për ndihmë sociale në Bashki ende nuk është shqyrtuar”, tregon ai.

Pjese e emisionin “Pasdite në Top Channel” është bërë edhe Adri Koli, përfaqësues i OSHEE-së, i cili i ka ofruar një marrëveshje Riçardit.

OSHEE do ta marrë në punë dhe do t’i rikthejë energjinë elektrike, ato çfarë donte edhe Riçard Pepa.

Top Channel