Kosovë, seancë e jashtëzakonshme për kryepolicin e Mitrovicës

10/10/2016 00:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të martën në një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar mbi arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Thaçi u arrestua më 29 shtator nga Policia e Serbisë, ndërkohë që po kalonte në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” mes Kosovës dhe Serbisë.

Prokuroria e Nishit ka ngritur ndaj Thaçit akuzën e terrorizmit, për shkak të pjesëmarrjes së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Gjykata e Nishit i ka vendosur masën e paraburgimit 30-ditor.

Ndërkohë, sipas medieve serbe raportohet se Thaçi është paraqitur këtë të hënë para Gjykatës Speciale në Beograd.

“Drejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Nehat Thaçi, 40 vjeç, i cili u arrestua nga policia serbe në fund të shtatorit në vendkalimin Konçul, ka dalë para seancës së orës 11 në Gjykatën Speciale në Beograd”, shkruan “Tanjug”.

Top Channel