Agostinelli, për Di Marzion: Skënderbeu, përgjegjësi e madhe

05/10/2016 00:00

Andrea Agostinelli është në sezonin e tij të parë te skuadra e Skënderbeut, me të cilin ka bërë një nisje praktikisht perfekte të kampionatit, me 5 fitore në 5 javët e para. Trajneri italian, në një intervistë për gazetarin Gianluca Di Marzio ka treguar për këtë aventurë të tij të re, pas asaj që ai kaloi me Partizanin.

“Ndihem shumë mirë. Jam i kënaqur, por ky është vetëm filllimi. Kampionati shqiptar është shumë i vështirë. Vitin e kaluar Skënderbeu e fitoi titullin vetëm në javën e fundit, duke lënë pas pikërish ish-skuadrën time të Partizanit. Kështu që ky sezon do të jetë një betejë e vërtetë. Përsa i përket fillimit, asnjë trajner nuk e pret diçka të tillë. Ky është viti im i parë këtu, por unë e mendova që duhej të punoja mirë, pasi Skënderbeu vinte pas 6 titujve radhazi, ishte një përgjegjësi e madhe për mua”, shprehet Agostinelli.

Agostinelli bëri edhe një përshkrim të Skëndërbeut, duke e cilësuar një skuadër cilësore dhe të kompletuar.

“Cilësia është aspekti ynë më i mirë. Nëse ka një gjë në të cilën duhet të përmirësohëmi është agonizmi”, vijoi Agostinelli, i cili më pas nuk ngurroi të japë vlerësimet maksimale për bashkëkombasin e tij Gianni De Biasi, për punën e bërë me kombëtaren shqiptare.

“De Biasi ndihmoi Shqipërinë të bëjë hapa gjigantë në futboll, duke i hapur dyert e Europës. Ai arriti diçka historike. Kjo në Shqipëri është një lëvizje futbollistike në rritje të vazhdueshme dhe që në të ardhmen do të përmirësohet edhe më shumë”, tha Agostinelli.

Top Channel