“Gëzuar për fillimin e mbarë, Ancelotti”

03/10/2016 00:00

Në vizitën e tij të parë në një prej festivaleve më të famshme të birrës në botë, trajneri i Bayern Munchen, Carlo Ancelotti pritet ta shndërrojë në një ndikues pozitiv për skuadrën atë që quhet “Oktoberfest”, pavarësisht se humbi pikët e para sezonale gjatë javës së 6 të Bundesligës.

Duke qenë se kishte premtuar se do të pinte një gotë birrë për çdo pikë të fituar nga gjigantët bavarezë gjatë së shtunës, Ancelotti duhej të kishte mbetur esëll pas vizitës së tij, së bashku me të gjithë klubin, të dielën në “Oktoberfest”. Anthony Modeste i vuri një “shkop nën gomë” festimeve të bavarezëve, pas shënimit të golit të barazimit për Këlnin në “Allianz Arena”, ditën e shtunë.

Megjithatë, kapiteni Philipp Lahm siguroi të gjithë se, pavarësisht atij rezultati, ekipi do të vijonte të kishte shpirtin festiv. “Jemi kryesuesit e Bundesligës, ndaj dhe kjo na lejon të shijojmë këtë festë birre”.

Pavarësisht se lanë dy pikë në rrugëtimin e tyre për të mbrojtur titullin kampion në Gjermani, bavarezët kanë ende shumë për të festuar, pasi kanë fituar në të pesta takimet e tjera të sezonit 2016-2017. Rekordmenët e titujve në Gjermani mposhtën 6-0 Werder Bremenin në gusht, ndërsa më pas fitoret vijuan edhe ndaj Schalke 04, Ingolstadt, Hertha Berlin dhe Hamburg, përpara se të barazonin me Këlnin.

Zhgënjimi që u shkaktoi Këlni nuk bëri gjë tjetër, veçse e bën skuadrën e Bayern Munchen të jetë më e vendosur për të ardhmen. “Duhet t’u tregojmë kundërshtarëve se nuk kemi asgjë për t’u falur në Allianz Arena”, tha portieri Manuel Neuer.

Ancelotti, pavarësisht barazimit, ka qenë tepër lavdërues ndaj të tijve dhe i vendosur të festojë për performancën e treguar prej tyre deri më tani.

“Nuk mund të harrojmë atë që kemi bërë deri më sot. Dy ndeshjet e fundit nuk kanë qenë edhe aq pozitive, por kemi ende arsye për të festuar Oktoberfestin”, u shpreh tekniku italian, i njohur për preferencat e tij ndaj verës, por që nuk mund të linte pa shijuar edhe birrën bavareze.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel