F1, Vettel penalizohet me 3 pozicione për Çmimin e Malajzisë

03/10/2016 00:00

Incidenti me Max Verstappen në startin e garës së Malajzisë i kushton shumë Sebastian Vettelit. Piloti gjerman i Ferrarit do ta nisë Çmimin e Madh të Japonisë, që do të zhvillohet këtë fundjavë, tri pozicione më poshtë nga ai që do të arrijë në provat kualifikuese.

Ky është vendimi i marrë nga komisarët e garës, pas përplasjes mes pilotit gjerman dhe pilotit holandez në kthesën e parë të pistës së Sepangut, një përplasje që detyroi 4 herë kampionin e botës të shkaktojë një aksident edhe me Nico Rosberg.

Një ngjarje kjo, që shkaktoi një indinjatë të madhe te Red Bulli e Verstappen, i cili nuk i kurseu aspak fyerjet ndaj pilotit gjerman. Ndërkaq, vet Vetteli, në faqen zyrtare të Ferrarit kërkoi ndjesë për incidentin me Rosberg në garën e Sepangut.

“U nisa mirë, por më pas e pashë veten përkrah Max Verstappenit. Ishim të dy duke luftuar për një pozicion në kthesën e parë dhe Nico shkoi drejt pjesës së brendshme, duke bërë zgjedhjen e trajektores siç ishte në të drejtën e tij. Në atë pikë nuk mund ta ngadalësoja shpejtësinë dhe Verstappen më shtyu nga e djathta. Bëra më të mirën e mundshme në frenim, por nuk mund të evitoja përplasjen. Ishte një incident i pafat, që prishi jo vetëm garën time dhe të atë të Rosberg. Nuk mund të bëj gjë tjetër, veçse t’i kërkoj falje, pasi incidenti nuk kishte të bënte me të”, lexohet në komunikatën e Vettel.

Top Channel