Ultimatumi sekret i BE: Merrni refugjatët ose s’ka ndihma

28/09/2016 00:00

Në përpjekjen e dëshpëruar për të frenuar valën e emigrantëve drejt kontinentit të vjetër Bashkimi Europian po planifikon të kërcënojë Afganistanin me reduktim të ndihmave nëse ai nuk do të pranojë të paktën 80 mijë azilkërkues të deportuar.

Sipas një memoje të klasifikuar, e cila ka rënë në duar të gazetarëve, liderët e unionit do ta parashtrojnë ultimatumin sekret javën e ardhshme kur donatorët ndërkombëtarë dhe qeveria afgane të mblidhen në Bruksel. 

Afganistani i përfshirë nga trazirat, ka dështuar në rigjallërimin e ekonomisë apo prodhimin e vendeve të punës për të rinjtë që zgjedhin të largohen. Kështu për vendin do të ishte një sfide të absorbonte 80 mijë deportime.

Deri në 2016, rreth 5 mijë afganë janë rikthyer vullnetarisht nga europa. Afganët përbejnë grupin e dytë më të madh të emigrantëve që mbërrijnë në europë, me 196.170 kërkesa për azil vitin e kaluar.

Presioni që BE ka ndërmend të ushtrojë ndaj vendit është pjesë e një strategjie më të gjerë që synon kushtëzimin e dhënies së ndihmave për vendet e varfra me vullnetin e tyre për të pranuar emigrantët e deportuar.

Shembulli më i mirë që vërteton këtë është rasti i Turqisë, së cilës ju ofrua një marrëveshje 6 miliardë euroshe në këmbim të pranimit të azilkërkuesve dhe përmirësimit të kontrolleve në kufi.

Vende të tjera të cilave mund t’u bëhet një propozim i ngjashëm janë Nigeria, Etiopia, Libani dhe Libia. Sa i përket Afganistanit, analistët paralajmërojnë se BE po i çon njerëzit drejt rrezikut e shkatërrimit.

Top Channel