Firmoset kërkesa për Kuvendin, PD: Referendum për mbetjet

28/09/2016 00:00

Demokratët i kanë mbledhur 28 firmat e deputetëve për të kërkuar së shpejti në Parlament zhvillimin e një referendumi për ndalimin e importit të mbetjeve.

“Në këtë referendum Partia Demokratike vjen me një propozim të qartë; zero import plehrash”, deklaroi Basha.

Brenda grupit nuk ka patur kundërshtime për idenë e referendumit, por Bode, Imami, Selami dhe Patozi shprehën pakënaqësi për mënyrën sesi po trajtohet çështja e mbetjeve.

Sipas tyre, kjo nuk mund të jetë kauzë e një partie të qendrës së djathtë, nuk duhet parë si një kauzë elektorale dhe as të trajtohet me frymë populiste, pavarësisht mbështetjes së protestave të shoqërisë civile.

“Ne patëm debat, siç kemi gjithmonë debat sepse përndryshe ajo (mbledhja) kthehet në recitim të kryetarit. Nuk ka recitim, patëm një debat, një diskutim pune dhe një vendim unanim”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës publikoi një dokument të firmosur me gusht nga zëvendëskryeministri Peleshi që nuk favorizon rikthimin e importit të mbetjeve. Basha iu referua shifrave zyrtarëve për mbetjet, të përmendura në dokument për të rrëzuar një nga argumentet e Kryeministrit për rikthimin e ligjit.

“Nuk qëndron preteksti se kjo bëhet për industrinë e riciklimit. Industria e riciklimit nuk ka bërë akoma as 17 përqind të punës me mbetjet shqiptare, ka 83 përqind të punës për të bërë”, tha Basha.
 
Sipas Bashës, vendimi për referendum u mor për t’u dhënë qytetarëve të drejtën e mohuar nga Kryeministri.

“Qytetarët ndjehen të tradhtuar! Zërin e tyre e ka zëvendësuar Edi Rama me një tufe mafiozësh të plehrave që duan të sjellin helmet këtu.

Pyetja e saktë në kërkesën e demokratëve ende nuk është formuluar, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike, opozita nuk e shikon si të pamundur sigurimin e një shumice të thjeshtë parlamentare për miratimin e kërkesës së saj për referendum.

Nëse kalohet pengesa e votave, referendumi, i cili nuk është shfuqizues për ligjin, duhet të zhvillohet deri më 12 mars. Ky ështe afati i fundit, sepse ligji i ndalon referendumet 6 muaj përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Top Channel