Punimet në sheshin “Skënderbej”, devijon trafiku rrugor

23/09/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka njoftuar pasditen e sotme se nga dita e hënë, më datë 26 shtator, në kuadër të punimeve në sheshin Skënderbej” do të ketë devijime të trafikut në akset përreth.

Kështu, sipas një njoftimi për shtyp, do të bëhet bllokimi i trafikut për kalimin e automjeteve në segmentin nga Muzeu Historik Kombëtar në drejtim të Ministrisë së Energjisë.

Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve do të vijojë normalisht përpara Muzeut Historik Kombëtar në drejtim të Rrugës së Durrësit, si dhe në rrugën përpara selisë së Partisë Socialiste.

“Faza e parë e punimeve në “Sheshin Skënderbej” përfshin punimet për kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujrave të shirave, si dhe atë të shatërvanëve dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjitha trevat shqiptare. Punimet e kësaj faze do të zgjasin 12 muaj”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Sipas bashkisë, të gjitha këto zona punimesh janë të ndara në segmente të ndryshme kantieresh të vogla, për të bërë të mundur qarkullimin normal të qytetarëve dhe mjeteve.

Top Channel