Garat historike me balona, në Gjermani nis edicioni i 60

19/09/2016 00:00

Nisi në gjermani, edicioni i 60 i garës me balona, “Coupe Aeronautique Gordon Bennett”, gara më e vjetër dhe më prestigjioze e kësaj disipline. Në aktivitetin e këtij viti marrin pjesë 48 pilotë nga vende të ndryshme të botës që garojnë më 24 balona.

Zvicra, SHBA, Gjermania, Franca dhe Belgjika përfaqësohen nga 3 skuadra, ndërsa Polonia dhe Britania e Madhe kanë nga 2. Nga një skuadër kanë shtete të tilla si Holanda, Lituania, Spanja, Austria dhe Australia. Mes garuesve të këtij viti ishte edhe dyshja Vilhelm Ajmers dhe Matias Zenge, kampionë në 2014.

“Coupe Aeronautique Gordon Bennett”, lindi si aktivitet në vitin 1906 dhe që nga ajo periudhë ka ndryshuar shumë pak. Elementët bazë të garës, koshat e hapur dhe balonat janë pothuajse të njëjtat. Këtë vit, pilotët do të udhëtojnë nga Gjermania në drejtim të Francës, Spanjës dhe Detit Mesdhe.

Fituesi i garës mund të zbarkojë në Kretë ose brenda territorit grek në një distancë prej 2000 km.

Top Channel