Fier, tarifa shtesë në faturën e ujit irriton banorët

17/09/2016 00:00

Një tarifë prej 600 lekësh të reja i është shtuar faturave të abonentëve të ujësjellësit të Fierit, duke i gjetur ata të papërgatitur.

Nga 1.800 lekë që paguanin aforfe familjet që nuk kanë matës uji, tani duhet të paguajnë 2.400 lekë.

Bashkia vendosi që taksat e shtëpive t’i mbledhë nëpërmjet faturave të ujit. Kjo ka sjellë një dyndje të madhe në sportelet e arkëtimeve, ku qytetarët kanë kërkuar sqarime.

Të vendosur përballë faktit të kryer, ata thone se kjo ishte një masë shtrënguese që i ka gjetur të papërgatitur dhe shprehin habi për faktin se në shumë lagje nuk kryhet asnjë nga shërbimet për të cilat ajo paguhet.

Nga kjo taksë nuk bëjnë përjashtim as emigrantët, të cilët kanë gjetur fatura të fryra edhe pse nuk ndodheshin në banesë.

Vendimi për të mbledhur taksat vendore nëpërmjet faturave të ujësjellësit është marrë në Këshillin Bashkiak, por nuk është e qartë nëse ka lehtësira për kategoritë në nevojë.

Top Channel