Wenger vlerëson Xhakën: Përmirësohet çdo ditë tek Arsenal

16/09/2016 00:00

Granit Xhaka do të tregojë shumë shpejt në fushën e lojës sesa vlen, pasi është pikërisht kosovari, pjesa që mungon në mozaikun e bukur të Arsenalit.

Kjo është sinteza e trajnerit të skuadrës londineze, Arsene Wenger, sipas të cilit mesfushori i kombëtares zvicerane ka të gjitha cilësitë për të shkëlqyer.

Wenger premtoi më shumë minuta lojë për Granit Xhakën, duke rikujtuar se ai po përmirësohet nga dita në ditë. Mesfushori ka luajtur në 3 ndeshje në Premier Ligë, dhe rivalizon për formacionin me Frensis Kokle.

‘Granit Xhaka po bëhet më i fortë çdo javë dhe shumë shpejt do të ketë impakt të madh në fushë. Ai ka staturën e duhur, ka fuqinë dhe ne do ta përdorim në mënyrën më efikase. Jemi vetëm në shtator dhe përgatitjen e nisëm në gusht. Shumë lojtarëve u duhet kohë të përshtaten por ai po e bën mjaft shpejt” tha Venger në një konferencë për shtypi e cila u shty 4 orë për shkak të motit të keq.

‘Unë personalisht preferoj Xhakën në një lojtar që lëviz nga zona në zonë, pasi ai ka fuqinë të përshkojë shumë metra e të krijojë pasime të gjata” tha trajneri i Arsenalit. Testi i radhës i formacionit londinez do të jetë këtë të shtunë ndaj Hull City, një 90 minutësh ku Granit Xhaka po projektohet titullar.

Top Channel