Luis Enrique i mërzitur pas skualifikimit të PSG nga Liga e Kampionëve: Dhemb shumë kur humbet në këtë mënyrë

08/05/2024 10:27
Luis Enrique dhe lojtarët e PSG

Mbrëmë Borussia Dortmund u kualifikua si skuadra e parë në finale e Ligën e Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Edin Terzic, përkundër të gjitha parashikimeve eleminuan francezët e PSG në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 0:2.

Trajneri i PSG, Luis Enrique u shpreh i mërzitur me eleminimin, duke e cilësuar si një moment të trishtë edhe për mënyrën sesi skuadra e tij humbi.

“Është një moment i trishtuar që po përjetojmë. Në sport, kur humbet në këtë mënyrë dhemb shumë. Është koha për të uruar Borussia Dortmundin sepse ata kanë pasur një angazhim të madh”, tha fillimisht spanjolli.

Ai përgëzoi Dortmundin për angazhimin e madh dhe tha se kurrë nuk e kishte nënvlerësuar skuadrën gjermane.

“Është gara e të fortëve. Askush nuk e kishte nënvlerësuar Dortmundin. Rezultatet janë ato që janë dhe u uroj atyre më të mirën në finale sepse kanë të njëjtat mundësi si finalisti tjetër,” tha ai.

Top Channel