“Nuk e njihja Europën”, Italiano i gëzohet finales: Koha të fitojmë trofeun

08/05/2024 21:54

Fiorentina është finalistja e parë e edicionit të tretë të Conference League.

Italianët morën një barazim 1-1 në Belgjikë ndaj Club Brugge, rezultat që u mjaftoi për të avancuar më tej falë suksesit 3-2 një javë më parë në Firence.

Skuadra vjollcë shkon për të dytën herë radhazi në finalen e këtij kompeticioni. Një vit më parë u mposht nga West Ham, ndërsa tani pret të mësojë kundërshtarin, që do të jetë njëri mes Aston Villës dhe Oympiacosit. Me grekët më të avantazhuar falë triumfit 4-2 në Angli.

Trajneri Vincenzo Italiano, i cili me shumë gjasa është në javët e fundit të eksperiencës së tij te Fiorentina, vlerësoi maksimalisht arritjen. Duke e quajtur diçka të jashtëzakonshme pjesëmarrjen për herë të dytë radhazi në finale.

Kur erdha te Fiorentina, unë u premtova tifozëve se do të bëjmë më të mirën tonë në Europë. Dhe ja ku jemi për herë të dytë radhazi në finalen e Conference League.

Nuk e njihja Europën më parë, pasi jam i ri në trajnim, por mendoj se kemi bërë diçka të pabesueshme. Tani është koha të largojmë mallkimet e shtyllave dhe penalltive, dhe të provojmë të sjellim trofeun në Firence”, u shpreh 46-vjeçari.

Top Channel