Tahiri: Kanabisin e toleroi opozita e sotme. Ne po e luftojmë

15/09/2016 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i është përgjigjur akuzave të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke i thënë se, “duhet të informoheshe zyrtarisht para se të këshilloheshe nga portale dhe analistë”, që sipas tij “fryhen me listëpagesat e këtyre këtu (deputetëve të PD)”.

Tahiri ka thënë se, narkotikët është një fenomen që është trajtuar me shqetësim prej tij që kur ka marrë detyrën dhe i qeverisë që kur ka ardhur në pushtet.

“Ky është një shqetësim për mua që kur mora detyrën e ministrit, shqetësim që ju nuk e keni ngritur kurrë në këtë Parlament. Sali Berisha ka deklaruar publikisht se në Lazarat nuk kemi ndërhyrë sepse kishte vendim politik. Cili ishte vendimi politik? Përdorimi i atyre grabitqarëve në zgjedhje? Unë këtë e refuzoj”, ka thënë Tahiri, i cili ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të politizohet.

“Do të preferoja që kjo të mos shihet në lupën e luftës politike. I keni shkelur syrin çdo njeriu në çdo fshat për të mbledhur vota, nuk janë të paktë ata në këtë sallë që e kanë bërë këtë”, ka vijuar ministri.

Sipas tij, “jo më pak sesa 3 vjet më parë ky vend ishte plot me kanabis dhe Guardia di Finanza i dorëzoi ish-kryeministrit një raport zyrtar, ku me grafik dhe koordinata tregohej se ishin 300 hekatrë me hashash.

“Dhe këta shkatërruan vetëm 7 për qind të sipërfaqes. Kush e mbron kanabisin, ne që shkatërrojmë 96 për qind të sipërfaqeve, apo këta që shkatërronin 7 për qind?”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel