UEFA, mbledhja e parë me Ceferinin në krye

15/09/2016 00:00

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi në Athinë mbledhjen e parë nën drejtimin e presidentit Aleksander Ceferin, i zgjedhur ditën e mërkurë në Konferencën e Jashtëzakonshme të këtij institucioni të mbajtur pikërisht në kryeqytetin grek.

Ceferin, president i Federatës Sllovene të futbollit, që zëvendësoi në krye të UEFA-s Michel Platini, deklaroi se detyra e tij parë do të jetë të shuajë pakënaqësitë e shfaqura pas marrëveshjes së arritur me Shoqatën e Klubeve Evropiane për ndryshimet në Ligën e Kampioneve.

Ndryshimet parashikojnë që duke nisur nga viti 2018 në fazën e grupeve do të ketë 4 skuadra fikse nga kampionatet në Spanjë, Angli, Gjermani e Itali që redukton ndjeshëm numrin e vendeve për skuadrat që vijnë nga liga të niveleve më të ulëta.

Një ndryshim ky që u miratua pas kërcënimeve të klubeve më të rëndësishëm për të lënë Ligën e Kampioneve dhe për të krijuar Superligën Evropiane.

Top Channel